RISITË DHE PROBLEMATIKAT E LIGJEVE

Qytetarët mund të njihen përmes platformës www.deputetim.al për thelbin e secilit ligj, risitë, ndikimin dhe problematikën që sjellin

A E DINI SE....

  • I dini katër vendet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje ekstradimi për shtetasit e saj?

Më 2008 Shqipëria lidhi marrëveshje ekstradimi me Italinë, më 2013 lidhi marrëveshje me Kosovën, Shqipëria vijon të ketë një traktat ekstradimi me SHBA dhe në shtator 2017 parlamernti miratoi shtetin e katërt, Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Sipas marrëveshjes së katërt, hiqen barrierat për mosekstradimin e shtetasve shqiptarë dhe britanikë në mënyrë reciproke, duke zbatuar parimin e reciprocitetit. Kjo marrëveshje nuk ka efekt prapaveprues në ato raste kur kërkesa për ekstradimin është bërë më përpara se kjo marrëveshje të hyjë në fuqi, por do të zbatohet në ato raste kur veprat penale janë kryer edhe më përpara se kjo marrëveshje të hyjë në fuqi, apo pasi kjo marrëveshje të hyjë në fuqi. Ministria e Drejtësisë paralajmëroi se marrëveshje të tilla të ekstradimit synohet të bëhen edhe me shtetet e tjera të rajonit, të BE-së apo dhe më gjerë.

 

  • Kuvendi miraton një marrëveshje për “Kampusin Universitar”….që nuk ekziston!!

Kuvendi ka bërë ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin financiar 2016, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në Kampusin Universitar të Tiranës sipas parimit të eficiencës energjetike, faza II”. Interesant është fakti se emërtimi “Kampusi Universitar” nuk eksiton në asnjë dokument zyrtar të shtetit, por është një premtim elektoral i kandidatëve për kryetar bashkie 2011 dhe 2015, si dhe i rektoratit të UT. Sipas debatit në komisionin parlamentar të ligjeve, zv/ministri që prezantoi aktin ligjor, Ilir Bejtja, tha se “Kampusi Universitar i referohet “Qytetit Studenti 1” dhe konvikteve të tij. Unë nuk di, por, përderisa është shkruar në kontratë, del se është ndryshuar edhe emri”. Në fakt, edhe pas verifikimeve nga ISP rezulton se në qytetin Studenti nuk ka emërtim të ri, faqja zyrtare e këtij qyteti është www.qytetistudenti.gov.al/ dhe emërtimi vijon të jetë “rezidenca studentore universitare nr.1”. Kuvendi e posedon këtë informacion, por megjithatë ai e injoroi atë dhe miratoi marrëveshjen me emërtimin “Kampusin Universitar”, emërtim që nuk ekziston ligjërisht dhe administrativisht në Shqipëri…!