KOMISIONET PARLAMENTARE, BILANCI DHE PROBLEMATIKA

KOMISIONET PARLAMENTARE, BILANCI DHE PROBLEMATIKA

Aktiviteti më i ngjeshur parlamentar është puna në komisione. Zhvillimi i mbledhjeve online ka rritur aksesin publik për komisionet, praktikat e seancave dëgjimore apo e konsultave publike kanë ndikuar gjithashtu pozitivisht. Performanca e komisioneve në tërësi është rritur, ka më pak incidente në mbledhje, ka më pak raste bojkoti dhe ka shumë angazhim të drejtuesve të komisioneve për të respektuar agjendën dhe për të krijuar një mjedis inkurajues pune. Disa komisione, si ai i ligjeve, i ekonomisë, i veprimtarive prodhuese, etj, mbajnë peshën kryesore të debatit, por gjatë sesionit mori vëmendje të veçantë edhe komisioni për mjetet e informimit, kryesisht për shkak të debatit lidhur me projektin e Butrintit.

Në elementët kritikë të aktivitetit në komisione mund të renditet pasiviteti i disa prej deputetëve më me përvojë parlamentare gjatë debateve ose pjesëmarrjes në komisione, disa incidente të panevojshme dhe të evitueshme midis palëve politike, drejtimi i komisioneve kryesisht me natyrë politike (shumica e kryetarëve të komisioneve nuk respektojnë konceptin e moderimit të debatit, por bëjnë komente politike, sidomos në komisionin e ligjeve, të sigurisë, etj), paraqitja gati formale e zyrtarëve ekzekutivë në komisione, duke mos i kushtuar vëmendjen e duhur kritikave apo sugjerimeve që vijnë nga deputetët, si dhe mungesa e vëmendjes së medias në raportim, për shkak të kufizimeve të pranisë së tyre fizike. Shqetësim vijon edhe praktika e publikimit me vonesë të materialeve të komisioneve, sidomos procesverbalet. Ky është një problem i vjetër teknik që parlamenti do të duhej ti kishte dhënë zgjidhje me kohë. Për shembull, në fundin e muajit gusht kur ky raport po hartohet, ende nuk është publikuar në faqen e parlamentit asnjë procesverbal komisioni për muajin korrik, ndërkohë që në disa komisione mungojnë edhe procesverbalet e muajit qershor 2022.

Në aspektin statistikor duhet theksuar se deputetët më të pranishëm në komisione janë disa deputetë që nuk diskutojnë thuajse asnjëherë në komisione dhe as në seancat plenare, pra shërbejnë aty për të siguruar kuorumin e komisionit dhe për të përfituar trajtimin financiar. Po ashtu nuk kanë marrë pjesë në asnjë komision dhe mbledhje komisioni deputetë të njohur si Berisha, Basha, Kryemadhi, etj, ndërkohë që nga deputetët e PS të gjithë janë të pranishëm në komisione, përfshirë kryetarin e grupit.

Një pjesë e deputetëve, duke qenë njëherësh në më shumë se një komision dhe po ashtu edhe në nënkomisione, kanë qenë të detyruar të jenë pjesërisht prezent, duke mos arritur ta ushtrojnë tek asnjëri angazhim 100% funksionin e tyre. Nevoja për kuorum ka dominuar nevojën për cilësi përfaqësimi në komisione.

Kuvendi ka ngritur edhe disa nënkomisione, një zhvillim ky pozitiv, por ende pa impakt në aktivitetin parlamentar dhe diskursin publik. Disa prej tyre, sidomos ato që kanë lidhje me të drejtat e njeriut, qeverinë vendore, administratën publike, etj, kanë pasur raste të shumta për të qenë aktivë, sidomos kur çështjet e tyre kanë qenë headline në debatin publik. Ka nënkomisione që janë aktive kryesisht kur në mbështetje të tyre ka donatorë të ndryshëm ndërkombëtar, pra në funksion të projekteve, jo në funksion të një agjende të brendshme të koordinuar dhe publike. Lidhur me transparencën edhe nënkomisionet kanë të njëjtën problematikë. Organizimi në komisione, nënkomisione, adresimi i çështjeve dhe administrimi parlamentar kanë nevojë të kenë harmoni më të madhe, edhe në aspektin organizativ dhe administrativ. Për shembull, ISP kritikoi rastet kur dy struktura parlamentare të drejtuara nga i njëjti person i shkruajnë njëra – tjetrës (rasti i integrimi) apo kur kryetarja e Kuvendit si inicuese akti i adreson vetes propozimin (rasti i presidentit). Në dy rastet reagimi i Kuvendit ishte refuzues ndaj kritikës, ndërkohë që praktikat e mira parlamentare sugjerojnë sjellje tjetër, përfshirë ndryshimin e praktikës së akteve të brendshme administrative dhe përmirësimin e akteve të brendshme rregullatore.

Raportin e plotë e gjeni duke klikuar këtu.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) do të vijojë monitorimin e parlamentit përmes mbështetjes financiare nga Ambasada e Zvicrës në Tiranë. Për këtë qëllim është ndërtuar edhe database http://deputetim.al/.

Instituti i Studimeve Politike (ISP)