KUVENDI: 7 DEPUTETË “DHURATË” PËR GRUPET PARLAMENTARE

KUVENDI: 7 DEPUTETË “DHURATË” PËR GRUPET PARLAMENTARE

Kuvendi i ri: 7 deputetë “dhuratë” për grupe fiktive parlamentare

Bazuar në Rregulloren e Kuvendit deputetët deklarojnë në fillim të legjislaturës përkatësinë e tyre politike, mbi të cilën krijohen edhe grupet parlamentare. Sipas Rregullores një grup parlamentar mund të krijohet nga 7 deputetë. Bazuar në rezultatin final të zgjedhjeve vetëm dy parti kanë më shumë se 7 deputetë, PS dhe PD. Megjithatë, përmes mekanizmit të dhurimit të emrave për partitë më të vogla politike, parlamenti i ri do të ketë së paku katër grupe parlamentare.

Dy grupet e reja quhen grupi parlamentar për “Demokraci dhe Integrim” (D&I) dhe grupi parlamentar “ Aleanca për Ndryshim” (AN). Në grupin e parë parlamentar bëjnë pjesë 3 deputetë të PDIU që ishin pjesë e listës shumëemërore të PD (Idrizi, Doda dhe Avdulla), si dhe katër deputetë të dhuruar nga PD (Ilda Dhori, Andia Ulliri, Selaudin Jakupllari dhe Kasem Mahmutaj). Në grupin AN bëjnë pjesë kryetarët e partive aleate pjesë e listës shumëemërore të PD (Mediu, Duka, Dule dhe Shehi), si dhe tre deputetë të dhuruar nga PD (Bakiu, Hoti dhe Koliqi).

Praktika e grupeve parlamentare fiktive, me deputetë të dhuruar nga partitë e mëdha, është aplikuar në pothuajse të gjitha legjislaturat pas mesit të viteve ’90. Deputetët që jepen “dhuratë” për grupe fiktive parlamentare nuk kanë asnjë lidhje tjetër me grupin ku bëjnë pjesë, përveçse delegimin numerik për të arritur kufirin minimal prej 7 deputetësh. Në listën e deputetëve të dhuruar në shtator 2021 bëjnë pjesë edhe funksionarë të lartë politikë apo drejtues të degëve lokale të PD, – një tregues i formalizimit dhe i mungesës së rëndësisë për identitetin politik, për respektin ndaj zgjedhësve dhe respektin ndaj publikut.

Interesant është fakti se LDI ka 4 mandate dhe PSD me 3 mandate nuk arritën të gjejnë deputetë shtesë nga PD dhe PS, ndërkohë që partitë aleate me PD pa mandate të fituara në konkurrencë të veçuar, arritën të krijojnë grupe parlamentare. Ekzistenca e grupeve parlamentare lidhet me privilegje parlamentare në përfaqësim, në vendimmarrje, në trajtim administrativ dhe financiar, si dhe në aksesin më të madh në debatet politike në komisione dhe sidomos në seancat plenare.