KUVENDI: BILANCI. TRANSPARENCA DHE PROBLEMATIKA

KUVENDI: BILANCI. TRANSPARENCA DHE PROBLEMATIKA

GJETJET KRYESORE

  • Periudha shtator – dhjetor 2019 është karakterizuar nga aktiviteti formal parlamentar dhe kapërcimi i debatit mbi legjitimitetin. Aktiviteti parlamentar nuk ka pasur protesta apo pengesa të tjera në ushtrimin e funksioneve. Normaliteti është tregues pozitiv, por i pamjaftueshëm për pritshmëritë publike ndaj Kuvendit. Kuvendi pati vështirësi për të luajtur rolin e organit kryesor vendimmarrës dhe për të promovuar pluralizmin në përbërjen dhe vendimet e tij.
  • Në vlerësimin e ISP, Kuvendi i përmbushi përgjegjësitë e tij në funksionin legjislativ, duke shqyrtuar e miratuar ligje dhe akte të tjera me rëndësi në vendimmarrjen parlamentare. Numri i akteve ligjore është më i vogël sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar (76 akte të miratuara më 2018 dhe 62 më 2019) dhe vetëm 5 ligje të reja u votuan në katër muaj.
  • Parlamenti e përmbushi pjesërisht edhe funksionin e tij të dytë, atë zgjedhor. Ai zgjodhi disa prej funksionarëve të lartë në përgjegjësi të tij, përfshirë dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Vlerësimi i “pjesshëm” lidhet me faktin se parlamenti nuk arriti të marrë vendim për disa vende vakante në përgjegjësi të tij, sidomos në KD të RTSH, AIDSSH, etj. Ai gjithashtu nuk bëri përpjekje për zgjidhjen e krizës për zgjedhjen e kryetarit të KLSH. Po ashtu Kuvendi shkarkoi një anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të BSH dhe bëri disa emërime në institucione të pavarura, shumica e të cilave përmes një procedure formale dhe të paracaktuar.
  • Në ushtrimin e funksionit të tij të tretë, funksionin kontrollues, parlamenti nuk arriti ta përmbushë atë. Në tërësinë e tij Kuvendi lejoi të imponohet në aktivitetin e vendimmarrjen e tij nga pushteti ekzekutiv. Gjatë sesionit nuk pati asnjë mocion, komision hetimor dhe as seancë pyetjesh ndaj kryeministrit dhe qeverisë së tij, nuk pati ndjekje të nivelit të zbatimit të ligjeve që miratohen në parlament dhe se në disa nisma të qeverisë. Parlamenti veproi më shumë si noter institucional i saj, sesa si institucioni kryesor i përfaqësimit dhe ushtrimit të sovranitetit qytetar në Shqipëri.
  • Dy nismat më të rëndësishme të kalendarit sesional të Kuvendit, Komisioni Hetimor lidhur me Presidentin e Republikës dhe Komisioni për Reformën Zgjedhore, e shtynë mandatin e tyre, duke mos arritur të kenë produkt brenda sesionit parlamentar. Nisma të tjera paralele, përfshirë paketa e ndryshimeve në legjislacionin mbi median e komunikimet elektronike apo nisma për investimet strategjike, etj, zunë vend prioritar në axhendën parlamentare dhe u votuan përmes kritikave publike vendase dhe të huaja për mungesë të mjaftueshme konsultimi dhe transparencë.
  • Ky ishte sesioni i parë i zhvilluar mbi bazën e Rregullores së re të Kuvendit të ndryshuar në korrik 2019, e cila shton elementët dhe instrumentet e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Java elektorale u aplikua në dy raste, por shumica e deputetëve nuk morën pjesë në debatin për problemet e zgjedhësve të tyre. Vetëm 31% u angazhuan për zgjedhësit, një zhvillim gjithsesi pozitiv nga praktikat e të kaluarës.

Për të lexuar më shume mbi gjetjet e raportit klikoni këtu…