KUVENDI, I VETMI INSTITUCION ME TRANSPARENCË FINANCIARE
Kuvendi vijoi edhe gjatë muajve të fundit të vitit 2019 të publikojë rregullisht të dhënat financiare mbi të ardhurat e deputetëve. Ky standard i nisur më 2018, e bën Kuvendin institucionin e vetëm kushtetues e shtetëror në vend që publikon të dhënat financiare, – një model që do të duhej të ndiqej edhe nga institucionet e tjera që paguhen me taksat qytetare. Po ashtu Kuvendi publikon të dhëna të rregullta periodike mbi përdorimin e buxhetit vjetor, të dhëna për shpenzimet, investimet, si dhe mbi projektet. Kuvendi ka botuar raporte të rregullta vjetore të aktivitetit dhe bilancit të tij midis viteve 2013-2017, por ende nuk ka publikuar raportin e vitit 2018 edhe pse ndodhemi në janar 2020, një e dhënë kritike që duhet të përmirësohet në funksion të transparencës publike. I njëjti sugjerim dhe e njëjta kritikë vlen edhe për publikimin vjetor të raportit mbi pjesëmarrjen e publikut në procesin e vendimmarrjes, raporte që janë botuar për vitet 2015 dhe 2016, por nuk kanë vijuar të publikohen për vitet në vijim, 2017-2019.