RAPORT I MONITORIMIT TE KUVENDIT: OPOZITA NE BOJKOT, MAZHORANCA NE MONOLOG
Instituti i Studimeve Politike (ISP) prezanton raportin e radhës monitorues mbi Kuvendin e Shqipërisë, sesioni parlamentar shtator-dhjetor 2018. ISP kryen monitorimin e Kuvendit për periudhën shtator 2017-shtator 2020 mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta (Holandës). Të gjitha të dhënat e detajuara publikohen edhe në platformën online www.deputetim.al, platformë e cila është edhe në formën e aplikacionit për çdo pajisje android.
Një prej risive dhe përgjegjësive kryesore të ekipit monitorues të ISP në këtë projekt është hartimi dhe plotësimi periodik i tabelës së klasifikimit të deputetëve sipas nivelit të tyre të efikasitetit në aktivitetin parlamentar. Kjo përpjekje deri tani ka rezultuar pozitive dhe është mirëpritur nga deputetët dhe publiku, pavarësisht vështirësive që vijnë nga bojkotet sezonale parlamentare, ndryshimet në Kuvend apo krizat politike. Raporti analizon në mënyrë sa më profesionale dhe të paanshme të gjitha të dhënat e grupeve të monitorimit, vlerën punën e deputetëve, risitë dhe problematikat, si edhe ofron rekomandime përmirësuese për të ardhmen.
GJETJET KRYESORE TË RAPORTIT MONITORUES
Sesioni parlamentar shtator – dhjetor 2018 u kushtëzua nga raportet e tensionuara politike, – marrëdhëniet e kushtëzuara të opozitës me Kuvendin dhe nga përpjekjet e mazhorancës për të ruajtur frymën e reformave dhe reformuar qeverisjen e saj. Dy agjendat paralele ndikuan në cilësinë e aktivitetit dhe të bilancit të Kuvendit dhe për pasojë, në dobësimin e rolit të tij si institucion përfaqësues, ligjvënës dhe kontrollues ndaj ekzekutivit.
Progresi në drejtim të reformës në drejtësi (ngritja e Këshillit Koordinues, miratimi i disa ligjeve, ngritja e KED) mbeti i paplotë për shkak të mos reflektimit ende nga Kuvendi të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi legjislacionin e reformës, si dhe nga mungesa e konsensusit politik për një sërë aktesh të tjera me rëndësi.
Gjatë sesionit të vjeshtës 2018 u miratuan vetëm 3 ligje të reja, në krahasim me 27 ligje në të njëjtën periudhë më 2016 dhe 7 ligje më 2017. Fokusi kryesor ishin ndërhyrje përmirësuese në ligjet ekzistuese ose nisma për ndryshime ligjore në funksion të agjendës politike të ditës.
Ky sesion pati 11 nisma ligjvënëse nga deputetët, shifër më e lartë sesa sesionet e mëparshme parlamentare, por burimi kryesor i nismave vijon të jetë qeveria. Në katër muaj nuk pati asnjë mocion për debat, nuk pati nisma për komisione hetimore nga opozita, u shënua një interpelancë dhe rritje e ndjeshme të kërkesave të deputetëve për informacion nga organet ekzekutive dhe institucionet e tjera
Gjatë muajve të fundit Kuvendi shënoi progres në drejtim të rritjes së transparencës, shpenzimet dhe përfitimet financiare u bënë publike për herë të parë në historinë e tij, Kuvendi iu përgjigj me korrektesë të gjitha kërkesave për informacion, monitoruesit patën akses të plotë pjesëmarrjeje, shoqëria civile u ftua të japë opsionet e veta për çështje të ndryshme, pati pjesëmarrje aktive të deputetëve në trajnime me grupet civile, Kuvendi mori në konsideratë sugjerimet e raporteve monitoruese për përmirësime në aspekte të ndryshme.
Kuvendi pati bilanc pozitiv në koordinimin dhe raportimin me institucionet kushtetuese dhe të pavarura, por shfaqi vonesa dhe standarde kritike në praktikat e plotësimit të vendeve vakante, në transparencën ndaj praktikave konkurruese, në përmbushjen në kohë të vendimmarrjeve dhe në publikimin e të dhënave online mbi këto praktika.
Shumica e debateve parlamentare u dominuan nga ligjërimi i personalizuar politik dhe fokusimi tek agjenda ditore politike, jo tek ligjet dhe aktet e tjera në agjendën e Kuvendit. Burimi kryesor i ligjërimit konfliktual politik vijuan të jenë drejtuesit më të lartë të partive. Kodi i Sjelljes i miratuar më 2018 nuk arriti të ndryshojë standardet e sjelljes në Kuvend.
Në klasifikimin e deputetëve sipas nivelit të efikasitetit në aktivitetin parlamentar rezultoi se deputetët Erion Braçe dhe Vasilika Hysi (PS), Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashki (PD), si dhe Kejti Mehmetaj e Luan Rama (LSI ishin deputetët më aktivë në tri grupet më të mëdha parlamentare. Bojkoti i pjesshëm i opozitës dëmtoi procesin e vlerësimit të deputetëve, por edhe dobësoi fuqinë e deputetëve për të ushtruar të gjitha përgjegjësitë parlamentare.
Në tërësi gratë deputete ishin 10% më shumë efektive sesa deputetët meshkuj, gratë ishin dominuese edhe në angazhimin në seancat plenare. Deputetët politikanë të karrierës patën angazhim dhe efektivitet më të lartë sesa prurjet e reja, dhe se niveli i angazhimit të deputetëve që vijnë nga biznesi ishte në kuotat më të ulta.
Deputetët më aktivë ishin ata të qarkut Fier dhe Elbasan, deputetët më pak efikas ishin ata të qarqeve Shkodër e Lezhë. Në votimet e akteve shumica absolute e mazhorancës shënoi 100% vota pro, ministrat më të akuzuar nga opozita patën minutazhin më të lartë të fjalimeve, dhe se tre deputetë u penalizuan për shkelje të Rregullores së Kuvendit.
Pa praninë e opozitës sfida kryesore e komisioneve parlamentare u bë arritja e kuorumit për legjitimitetin e mbledhjeve duke lënë në hije produktin cilësor të tyre. Në disa raste monitoruesit konstatuan parregullsi dhe fiktivitet në zhvillimin e mbledhjeve, formalizim të vendimeve, dhe se shumica absolute e nën/komisioneve shënuan bilanc negativ me mungesën totale të aktivitetit të tyre.
REKOMANDIMET KRYESORE
Kuvendi mund dhe duhet të fokusohet në reformimin e Rregullores dhe të Ligjit mbi Statusin e Deputetit, si dhe në aktet e tjera rregullatore të tij, në mënyrë që të mundësojë përputhshmëri midis akteve, përgjegjësive dhe standardeve të larta parlamentare.
Kuvendi mund dhe duhet të krijojë një sistem transparent deklarimi, verifikimi dhe publikimi të praktikave të konfliktit të interesit, të deklarimit të dhuratave dhe elementët e tjerë të Kodit të Sjelljes, në mënyrë që të rrisë standardet e integritetit dhe besueshmërisë.
Kuvendi mund dhe duhet të rrisë standardet dhe ndërhyrjet e bazuara në Rregullore dhe Kodin e Sjelljes, për hetimin e rasteve të akuzave ndaj deputetëve (përfitime financiare, plagjiatura, falsifikime, etj), si dhe për një marrëdhënie të re besimi me publikun e qytetarët.
Kuvendi mund dhe duhet të krijojë një sistem më efikas monitorimi të brendshëm të aktivitetit parlamentar, për të evituar praktikat abuzive në funksionimin e komisioneve, praktikat formale të vlerësimit të projekt-akteve, dhe për të rritur transparencën publike ndaj risive të akteve, ndaj ndryshimeve, ndaj impaktit dhe ndaj raportit të secilit deputet me to.
Kuvendi mund dhe duhet të ketë kalendar publik dhe standarde të njëjta për praktikat e emërimit dhe zgjedhjeve në organet e ndryshme me burim Kuvendin, për evitimin e vonesave në zgjedhje/emërim dhe për zgjerimin e bazës së kandidatëve për vendet vakante.
Kuvendi mund dhe duhet të përmbushë më mirë përgjegjësitë kushtetuese për kontrollin e pushtetit ekzekutiv, duke krijuar një sistem monitorimi më efektiv të zbatueshmërisë së ligjeve, të daljes së akteve nënligjore, të zbatimit të rezolutave, të respektimit në kohë e cilësi të përgjigjeve ndaj pyetjeve të deputetëve, të nxitjes së interpelancave dhe seancave të pyetjeve si dhe të kujdesit për të mos u shndërruar në institucion shtojcë të qeverisë.
Kuvendi mund e duhet të ketë buxhet të dedikuar për komisionet parlamentare për analizë profesionale, monitorim dhe botime mbi reformat dhe ligjet më të rëndësishme, për standardet e larta parlamentare dhe funksionet e deputetit, për raporte vjetore krahasuese dhe raporte problematikash e tematikash me rëndësi për Kuvendin dhe mirëqeverisjen.
Grupet parlamentare mund e duhen të bëhen struktura më demokratike në vendimmarrje dhe funksionim, të kenë më shumë staf mbështetës, të ofrojnë trajnime dhe kualifikime për deputetët, të reflektojnë mbi kritikat dhe të përmirësojnë aktivitetin e tyre, si dhe të krijojnë një sistem efektiv dhe publik vlerësimi për deputetët brenda grupit.
Kuvendi mund e duhet të bëjë ndryshime cilësore në faqen online dhe në adresimet e tjera online, në mënyrë që media e qytetarët e interesuar të kenë në çdo kohë informacionet e duhura mbi agjendën, aktivitetet, procesverbalet e plota, mbi emërtesat, nismat, projektet, raportet monitoruese, dhe të dhënat e detajuara mbi strukturat e reja të ngritura në kuadër të reformës në drejtësi
Kuvendi mund e duhet të ketë një program të trajnimit të vazhdueshëm të deputetëve dhe të stafeve mbështetëse.
KAPITULLI MBI RAPORTIN MONITORUES MUND TE LEXOHET / SHKARKOHET KETU
ISP – RAPORT MONITORIMI TE KUVENDIT SHTATOR-DHJETOR 2018Shenim: Anketimi me deputetët me gjetjet dhe analizën përkatëse do të publikohen në ditët e ardhshme.