RISI: KLASIFIKIMI I DEPUTETËVE SIPAS NIVELIT TË EFEKTIVITETIT

RISI: KLASIFIKIMI I DEPUTETËVE SIPAS NIVELIT TË EFEKTIVITETIT

Funksioni i deputetit nuk është vetëm të mbajë fjalime në séancat plenare, por shumë më kompleks. Deputetët kanë të drejtë dhe rrjedhimisht edhe detyrë të propozojnë ligje të reja, të bëjnë amendime të ligjeve ekzistuese, të kërkojnë e zhvillojnë séance pyetjesh në Kuvend ose interpelanca me kryeministrin ose ministra të caktuar, në marrë pjesë e të diskutojë e kontribuojë në punën e komisioneve të përhershme e të përkohshme parlamentare, të marrë pjesë dhe të kontribuojë përmes votimit, propozimeve, debatit dhe diskutimeve në seancat plenare, të zhvillojë jetë aktive në funksion të zgjedhësve që përfaqëson. Gjithashtu deputeti duhet të ndjekë standarde të larta etike, dhe për rrjedhojë, të mos penalizohet për shkelje të ligjit apo të Rregullores, të mos jetë subjekt për heqje imuniteti apo akoma më keq, të mos jetë subjekt për heqje mandati për shkak të shkeljes së rëndë të ligjit dhe të Kushtetutës.

Instituti i Studimeve Politike dhe platforma monitoruese www.deputetim.al, bazuar në këto kritere dhe duke u dhënë përparësi vlerësimit pozitiv (nisma ligjore 10 pikë, amendimet ligjore 15 pikë, interpelancat 10 pikë, votimi i ligjeve 10 pikë, pyetje adresuar institucioneve 10 pikë, aktiviteti publik 10 pikë, fjalime dhe angazhime në séance 15 pikë dhe diskutim e angazhim në komisionet parlamentare 20 pikë, pra në total 100 pikë), por edhe duke bërë vlerësimin zbritës negativ (përjashtim nga seancat ose komisionet – 10 pikë, heqje imuniteti apo abuzime financiare në deklarim e përfitim nga -20 pikë, si dhe heqje mandati -20 pikë, në total -100 pikë) ka krijuar për herë të parë një standard vlerësimi pozitiv e negativ për punën e deputetëve.

Metodologjia nuk është unike për Shqipërinë, është praktikë pune e parlamenteve perëndimore, por e përshtatur në tregues me rastin shqiptar, për shkak të sistemit elektoral që kemi, rolit të partive politike në nismat parlamentare, si dhe specifikave të sistemit. Për shembull, nëse një deputet inicion një ligj si person merr vlerësim 10 pikë, por nëse ai e paraqet një amendim në emër të partisë së tij politike, pra nuk është 100% produkt e nismë personale, atëherë vlerësohet me 50% të pikëve, pra me 5 pikë.

Nga të dhënat e monitorimit në legjislaturën e fundit rezultoi se kemi deputetë që ishin aktiv në fjalime në parlament, por nuk ishin aktiv në komisionet parlamentare, ndaj në klasifikimin e efektivitetit rezultonin me kuotë shumë më të ultë sesa vlerësimi në seancë. Ka gjithashtu deputetë që debatojnë por nuk marrin pjesë në votimin e ligjeve, që nuk iniciojnë ligje dhe as bëjnë amendime, interpelanca e pyetje, siç ka deputetë që nuk janë aktiv në zonën e tyre elektorale dhe as në jetën publike.

ISP vlerëson se është në interesin publik të zgjedhësve, medias dhe publikut për të njohur më mirë dhe më në thellësi cilët janë përfaqësuesit e tyre politikë, sa përfaqësues dhe efektiv janë ata, sa mbahen premtimet dhe cilat duhet të jenë standardet më të larta të përfaqësimit në të ardhmen.

Raporti i detajuar me të dhënat për secilin emër, aktivitet dhe pikëzim, të dhëna për grupet parlamentare dhe klasifikimin gjinor, për vendimmarrjet në komisione dhe përqindjet e votimit të akteve në Kuvend, si dhe të dhëna të tjera specifike, janë pjesë e materialit final mbi monitorimin që ISP ka bëjë publike dhe ndodhet ne kategorine “raporte” në këtë faqe.