SHUMICA E MINISTRAVE MË SHUMË FJALIME SE KRYEMINISTRI
Nga të dhënat e angazhimit të ministrave në debatet parlamentare vlen të theksohet hendeku i madh i angazhimit midis disa ministrave: kryeministri Rama dhe ministrat Xhaçka e Bilali kanë nga 7 fjalime parlamentare, nderkohë që katër ministra kanë dyfishin më shumë. Rekord mbajnë zv/kryeministri Ahmetaj dhe ministrja Spiropali me nga 16 fjalime, ndjekur nga Balluku dhe Manja me nga 14 fjalime, Manasterliu 13, Ikonomi 12, Kushi dhe Peleshi me nga 11 fjalime. Nëse sektorët e ministrave lart janë prioritete në debat publike (ekonomia, enegjitika, shëndetësia, arsimi dhe drejtësia), rasti i ministres për parlamentin lidhet më shumë me rol e angazhimin politik, sesa me kontributin mbi çështje të reformave dhe procesit ligjvënës.
Vlen të theksohet se anëtari i qeverisë me më shumë fjalime në sesionin janar – korrik 2022 e ka humbur tashmë postin e tij, për shkak se në fundin e muajit korrik Ahmetaj u zëvendësua nga Balluku. Ndryshimet në kabinet erdhën menjëherë pas marrjes së detyrës nga Presidenti i ri dhe u motivuan me vendimin e BE për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë.
Sipas rregullores, kryeministri ka të drejtë pa kufizime për kohën parlamentare për fjalime, duke i dhënë të njëjtin akses kohor edhe liderit të opozitës, por në kushtet kur opozita nuk ka lider në parlament dhe nuk ka unitet për përfaqësim, hapësira e dhënë për kryeministrin ka qenë disproporcionale dhe interesi i tij për fjalime ka qenë kryesisht vetëm për çështje që lidhen me akuza direkte ndaj tij ose për çështje që nxjerrin në pah protagonizmin e tij politik.
Raportin e plotë e gjeni duke klikuar këtu.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) po monitoron parlamentin përmes mbështetjes financiare nga Ambasada e Zvicrës në Tiranë. Për këtë qëllim është ndërtuar edhe database http://deputetim.al/.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)