Kuvendi i ri: Legjitimiteti, tradita politike dhe nismat aktuale

Kuvendi i ri: Legjitimiteti, tradita politike dhe nismat aktuale

Më 11 maj u zhvilluan zgjedhjet e 10-ta parlamentare prej vitit 1991, kur ndryshoi sistemi politik. Në këto zgjedhje Partia Socialiste rezultoi fituese, duke siguruar vijimin e qeverisjes në mandatin e katërt radhazi, praktikë që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Në zgjedhjet aktuale konkurrenca ishte midis kryeministrit në detyrë zoti Rama (12 vjet kryeministër) dhe ish kryeministrit zoti Berisha (5 vjet President dhe 8 vjet kryeministër). Pra, në total vetëm 6 drejtues shtetërorë në më shumë se një shekull, janë edhe tregues i kulturës politike të bazuar tek modeli i liderëve të fortë dhe personalizimit të pushtetit.

Zgjedhjet e vitit 2025, ashtu si zgjedhjet e vitit 2021, 2017, 2013 dhe 2009 janë kontestuar nga opozitat politike. Më 2009 dhe 2017 kontestimi është përshkallëzuar në bojkot politik të përkohshëm të parlamentit ose greva urie. Më 2013 dhe 2021 kontestimi u shoqërua me ngritjen e komisioneve për hetimin e parregullsive në zgjedhje, por në dy rastet komisionet nuk funksionuan dhe nuk pati as hetime dhe as raport. Në 2025 kontestimi u përsërit, por opozita nuk bojkotoi Kuvendin, ndërkohë që është bërë e njohur nisma e saj për ngritjen e një komisioni tjetër hetimor parlamentar mbi problematikat e zgjedhjeve. PS ka kërkuar komision të ri parlamentar për reformën zgjedhore, nismë që ka mbështetje dypalëshe.

Kushtetuta e RSH parashikon se mazhoranca e nevojshme për krijimin e një qeverie është 71 mandate parlamentare. PS ka 83 mandate direkte dhe +3 mandate nga PSD, si vota mbështetëse. Me këtë numër mandatesh miratimi i qeverisë bëhet formalitet dhe pesha e deputetëve të PS në parlament dobësohet, duke forcuar pozitën e kryeministrit dhe kabinetit të tij në raport me parlamentin.

Gjatë legjislaturës nuk pritet të ketë mocione mosbesimi dhe as raste kur qeveria të vihet në pozitë të vështirë. Pozita e ministrave gjithashtu dobësohet në sistemin politik, pasi ata mund të shkarkohen/emërohen pa mekanizma politikë mbrojtës, ndërkohë që pozita e ministrave ndaj deputetëve forcohet ndjeshëm, pasi deputetët e mazhorancës nuk kanë mekanizma presioni ndaj ministrave. Dobësimi i parlamentit vjen në kontrast me rekomandimet e raportit të progresit të BE për Shqipërinë, sipas të cilave parlamenti duhet të ushtrojë funksionet kushtetuese përfshirë forcimin e kontrollit ndaj qeverisë.

 

Instituti i Studimeve Politike (ISP) do të vijojë monitorimin e parlamentit. Për këtë qëllim është ndërtuar edhe database http://deputetim.al/.

Instituti i Studimeve Politike (ISP)