
KOMISIONET: Ndryshime të njëanshme në strukturë, emërtim dhe drejtim
Kuvendi
Komisionet parlamentare janë struktura të rëndësishme të aktivitetit dhe vendimmarrjes parlamentare. Disa prej komisioneve, si Komisioni i Ligjeve, i ekonomisë dhe ai i jashtëm janë komisione edhe më të rëndësishme, sepse kanë role specifike në procesin ligjvënës, si dhe edhe në mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura, miratimin e rezolutave vjetore për institucionet, si dhe lidhur me procesin e anëtarësimit në BE. Nga të dhënat e parlamentit të ri rezulton se 65% e deputetëve drejtues në komisionet aktuale parlamentare (kryetar, zv/kryetar dhe sekretar) nuk janë rizgjedhur deputet në legjislaturën e re. Në Komisionin kryesor, Komisionin e Ligjeve nuk janë rizgjedhur deputetë asnjë nga kryesia e komisionit, në komisionin e ekonomisë vetëm një nga katër anëtarët e kryesisë, shifër e njëjtë edhe për komisionin e veprimtarive prodhuese, komisionin e sigurisë kombëtare apo komisionin e çështjeve të integrimit. Ndryshimi në nivele kaq të larta të drejtimit të komisioneve parlamentare krijon vështirësi të shumëfishta në legjislaturën e re. Së pari sepse nuk është ende e qartë se cilët do të jenë personat që kanë aftësinë, përvojën dhe mbështetjen e nevojshme politike për të marrë drejtimin e komisioneve, sidomos tek komisioni i ligjeve. Së dyti, sepse ndryshimet drastike krijojnë hendek midis praktikës parlamentare të deritanishme, p.sh., në mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, me këto institucione në të ardhmen. Ndryshimet dobësojnë edhe sistemin e karrierës politike në partitë respektive dhe limitojnë edhe numrin e deputetëve që mund të jenë interlokutorë në procesin konsultues parlamentar me faktorë brenda dhe partnerët jashtë parlamentit.
Kuvendi aktual, ndryshe nga praktika, vetëm me votat e PS ndryshoi Rregulloren, numrin e komisioneve dhe emërtimin e tyre, duke krijuar një situatë të re eksperimentale. Dy komisionet e posacme, ai mbi disinformimin (Braçe) dhe ai mbi antikorrupsionin (Xhafaj) nuk ekzistojnë më.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) do të vijojë monitorimin e parlamentit. Për këtë qëllim është ndërtuar edhe database http://deputetim.al/.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)