KOMISIONET: Ndryshime të njëanshme në strukturë, emërtim dhe drejtim

KOMISIONET: Ndryshime të njëanshme në strukturë, emërtim dhe drejtim

Kuvendi

Komisionet parlamentare janë struktura të rëndësishme të aktivitetit dhe vendimmarrjes parlamentare. Disa prej komisioneve, si Komisioni i Ligjeve, i ekonomisë dhe ai i jashtëm janë komisione edhe më të rëndësishme, sepse kanë role specifike në procesin ligjvënës, si dhe edhe në mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura, miratimin e rezolutave vjetore për institucionet, si dhe lidhur me procesin e anëtarësimit në BE. Nga të dhënat e parlamentit të ri rezulton se 65% e deputetëve drejtues në komisionet aktuale parlamentare (kryetar, zv/kryetar dhe sekretar) nuk janë rizgjedhur deputet në legjislaturën e re. Në Komisionin kryesor, Komisionin e Ligjeve nuk janë rizgjedhur deputetë asnjë nga kryesia e komisionit, në komisionin e ekonomisë vetëm një nga katër anëtarët e kryesisë, shifër e njëjtë edhe për komisionin e veprimtarive prodhuese, komisionin e sigurisë kombëtare apo komisionin e çështjeve të integrimit. Ndryshimi në nivele kaq të larta të drejtimit të komisioneve parlamentare krijon vështirësi të shumëfishta në legjislaturën e re. Së pari sepse nuk është ende e qartë se cilët do të jenë personat që kanë aftësinë, përvojën dhe mbështetjen e nevojshme politike për të marrë drejtimin e komisioneve, sidomos tek komisioni i ligjeve. Së dyti, sepse ndryshimet drastike krijojnë hendek midis praktikës parlamentare të deritanishme, p.sh., në mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, me këto institucione në të ardhmen. Ndryshimet dobësojnë edhe sistemin e karrierës politike në partitë respektive dhe limitojnë edhe numrin e deputetëve që mund të jenë interlokutorë në procesin konsultues parlamentar me faktorë brenda dhe partnerët jashtë parlamentit.

Kuvendi aktual, ndryshe nga praktika, vetëm me votat e PS ndryshoi Rregulloren, numrin e komisioneve dhe emërtimin e tyre, duke krijuar një situatë të re eksperimentale. Dy komisionet e posacme, ai mbi disinformimin (Braçe) dhe ai mbi antikorrupsionin (Xhafaj) nuk ekzistojnë më.

KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PS DHE EMRAT E KRYETARËVE:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat – Do të drejtohet nga Milva Ekonomi (PS), zv/kryetar Eno Bozgo (PD)
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike – Do të drejtohet nga Ulsi Manja (PS), zv/kryetar Oerd Bylykbashi (PD)
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes – Do të drejtohet nga Bledi Çuçi (PS), zv/kryetar Klevis Balliu (PD)
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm – Do të drejtohet Anila Denaj (PS), zv/kryetar Bledi Himci (PD)
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural – Do të drejtohet Blendi Klosi (PS), zv/kryetar Xhelal Mziu (PD)
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme – Do të drejtohet nga Igli Hasani (PS), zv/kryetar Albana Vokshi (PD)
Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale – Do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj (PS), zv/kryetar Ivi Kaso (PD)
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet – Do të drejtohet nga Luçiano Boci (PD), zv/kryetar Evis Kushi (PS)
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale- Do të drejtohet nga Ina Zhupa (PD), zv/kryetarEduard Shalsi (PS)
Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik – Do të drejtohet nga Jorida Tabaku (PD), zv/kryetar Iris Luarasi (PS)
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën – Do të drejtohet nga Bardh Spahia (PD), zv/kryetar Erjon Malaj (PS)

Instituti i Studimeve Politike (ISP) do të vijojë monitorimin e parlamentit. Për këtë qëllim është ndërtuar edhe database http://deputetim.al/.

Instituti i Studimeve Politike (ISP)