RAPORT 13 – KUVENDI DHE DEPUTETËT: ROLI KUSHTETUES, BILANCI DHE KODI I SJELLJES

RAPORT 13 – KUVENDI DHE DEPUTETËT: ROLI KUSHTETUES, BILANCI DHE KODI I SJELLJES

Që prej fillimit të legjislaturës 2021-2025 Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri po monitoron Kuvendin dhe aktivitetin parlamentar në Shqipëri. Fokusi i projektit është monitorimi cilësor i bilancit parlamentar, rolit të Kuvendit dhe aktivitetit të deputetëve, respektimi i Kodit të Sjelljes dhe legjislacionit mbi deputetët, si dhe monitorimi i raportimit të institucioneve të pavarura dhe të krijuara me ligj.

Nga fillimi i legjislaturës ISP ka publikuar dy raporte monitoruese, raporti i parë për periudhën shtator-dhjetor 2021, raporti i dytë për periudhën janar-korrik 2022 dhe ky është raporti i tretë vijues për periudhën shtator-dhjetor 2022. ISP është e vetmja organizatë e shoqërisë civile që monitoron Kuvendin dhe aktivitetin parlamentar prej vitit 2016. Në funksion të projektit monitorues është faqja online www.deputetim.al, ku përditësohen të dhënat, si dhe aplikacioni përkatës për pajisjet android.

Ndryshe nga praktikat rutinore të monitorimit ISP ka sjellë risi përmes aplikimit të një metodologjie të re, atë të klasifikimit të nivelit të efikasitetit të deputetëve, bazuar në treguesit kryesorë të përgjegjësive ligjore e kushtetuese të deputetëve. Klasifikimi i jep mundësi qytetarëve të marrin informacion cilësor mbi rolin e përfaqësuesit të tyre, deputetëve dhe partive politike parlamentare u jep mundësinë të “shihen në pasqyrë” për bilancin e tyre politik dhe parlamentar. Ndryshe nga një pjesë minore e pritshme shumica absolute parlamentare e pranon, vlerëson dhe citon raportin e gjetjet e tij. ISP e lidh monitorimin edhe me realizimin e sondazheve periodike mbi perceptimin publik mbi parlamentin dhe përfaqësimin. Një i tillë është realizuar edhe gjatë periudhës tetor-dhjetor 2022 dhe do jetë publike vetëm disa ditë pas publikimit të raportit monitorues.

 

GJETJET KRYESORE (shtator-dhjetor 2022)

  • Parlamenti pati aktivitet normal dhe periodik parlamentar, duke mbetur edhe më tej institucioni kryesor i vendimmarrjes politike. Në dallim nga legjislaturat e kaluara nuk pati bojkotim dhe as kontestim të parlamentit, si dhe sesioni nuk u shoqërua me protesta të dhunshme apo akte politike paralele me parlamentin. Megjithatë as këtë sesion Kuvendi nuk arriti të ushtrojë kontrollin e pushtetit ekzekutiv, qeveria nuk dha llogari përpara parlamentit dhe ky i fundit shpesh e njësoi veten me këtë pushtet.
  • Sesioni u dominua nga retorika e ashpër politike, ligjërimi denigrues dhe i personalizuar, bullizmi dhe devijimi i fjalimeve nga çështjet e rendit të ditës në sulme të personalizuara ose kolektive ndaj rivalëve politikë. Kodi i Sjelljes nuk u respektua dhe masat disiplinore nga Kuvendi ndoqën standarde të dyfishta, duke penalizuar vetëm deputetët e opozitës. Drejtuesit më të rëndësishëm të dy palëve politike ishin edhe bartësit kryesor të kësaj retorike, një zhvillim më negativ në krahasim me dy sesionet e tjera të kësaj legjislature.
  • Në aspektin ligjvënës parlamenti miratoi një numër të konsiderueshëm aktesh, të gjitha të iniciativa nga qeveria. Nga 23 nisma ligjvënëse vetëm një numër i vogël ishin realisht nisma serioze dhe individuale Jorida Tabaku (për investimet strategjike, për planifikimin e territorit, për koncensionet), Erjon Braçe (për bujqësinë), Petrit Vasili (për energjitikën), Agron Shehaj (për pronarët përfitues), etj). Disa prej akteve të qeverisë ndoqën procedurë të përshpejtuar dhe u pasuan me kritika serioze për qëllimet e tyre.
  • Sesioni reflektoi më shumë ndikimin nga interesat elektorale për zgjedhjet lokale, sesa debatin normal politik. Aktet për reformën territoriale, për taksat, për buxhetin, për policinë bashkiake, për investimet strategjike, për sektorët e energjetikës apo shëndetësisë u panë të lidhura me impaktin elektoral lokal më shumë, sesa në prioritetet programore të shpallura në fillimet e legjislaturës.
  • Kuvendi dështoi të krijojë një klimë besimi dhe dialogu politik. Dy komisionet e posaçme, ai për reformën territoriale dhe ai për reformën zgjedhore nuk dhanë rezultate për shkak të përdorimit të vetos nga njëra palë politike, ndërkohë që nuk pati konsensus as për nismat e komisioneve hetimore dhe ato për trajtimin e të kaluarës.
  • Kuvendi pati vështirësi të përmbushë funksionin e tij zgjedhor dhe disa vende vakante, përfshirë Avokati i Popullit, nuk arritën të marrin zgjidhje as pas 7 muajsh procedurë parlamentare.
  • Jeta parlamentare u dobësua nga problematika brenda opozitës dhe vështirësia për identifikimin e saj në debatet, grupet dhe strukturat parlamentare. Dualiteti i opozitës reflektoi edhe funksione specifike të Kuvendit, siç janë funksionet zgjedhore, ato ligjvënëse dhe ato përfaqësuese.
  • Deputetët me vlerësimin më të lartë në këtë sesion parlamentar ishin Jorida Tabaku (PD) dhe Erion Braçe (PS), grupi i PSD dhe PDIU ishin grupet më pak aktive në parlament, qarku Fier ishte më aktivi dhe qarku Shkodër më pak i përfaqësuari, gratë deputete ishin 6% më efikase, sesa deputetët burra. Në total 22 deputetë folën “me heshtje” gjatë katër muajve parlament, si dhe thuajse të njëjtët nuk morën pjesë as në diskutimet në komisionet parlamentare.
  • Dy deputetë dhanë dorëheqjen nga parlamenti dhe politika, si dhe katër të tjerë e kanë lajmëruar atë për të konkurruar në zgjedhje lokale, – një zhvillim kritik për besimin e vetë deputetëve tek parlamenti dhe jeta parlamentare në Shqipëri.
  • Në sesion u zhvilluan 5 interpelanca dhe një kërkesë u refuzua, ndërkohë 22 deputetë adresuan 43 kërkesa për informacion për institucionet qendrore dhe vendore. Rreth gjysma e deputetëve u përfshinë në aktivitete parlamentare jashtë vendit, si dhe një pjesë e tyre edhe në nënkomisione, komisione të posaçme apo nisma mbështetëse për rininë, politikat gjinore dhe mjedisore.
  • Kuvendi nxiti hapjen e tij për vizitorë, grupe të rinjsh, studentë dhe gjimnazistë, u shënuan seanca të hapura me ekspertë dhe historianë, si dhe konsulta me shoqërinë civile për çështjet e integrimit, u promovuan politika gjinore dhe mjedisore, si dhe u nxitën nisma sociale dhe bashkëpunimi më i afërt me parlamentin e Kosovës.
  • Kuvendi krijoi një faqe të re online, e cila ende nuk është e plotë, në përpjekje për të rritur informacionin dhe transparencën. Megjithatë asnjë deputet nuk u regjistrua në Regjistrin e konfliktit të interesit apo të dhuratave, pati vonesa dhe mungesa në botimin e dokumentacionit parlamentar, si dhe disa procedura parlamentare u neglizhuan ose anashkaluan.

 

REKOMANDIME

  •  Rregullorja e Kuvendit, Ligji për Deputetët dhe Ligji mbi Komisionet Hetimore kanë nevojë për rishikim, plotësim dhe reformim, për t’u përshtatur me sfidat e parlamentit të një vendi në bisedime për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Rekomandimet e detajuara të ofruara nga ISP dhe shoqëria civile në këtë drejtim sugjerojmë të merren në shqyrtim.
  • Kuvendi mund dhe duhet të investohet për të forcuar rolin e vet kushtetues, identitetin dhe legjitimitetin, hapësirën për debat më konstruktiv dhe standarde më të larta, për ta shndërruar atë në institucion më produktiv në vendimmarrjen politike dhe jetësimin e demokracisë përfaqësuese.
  • Kuvendi mund e duhet të investohet më shumë në drejtim të dialogut politik dhe krijimit të klimës së besimit, përqendrimit te reformat kryesore dhe ndjekjen e një strategjie zhvillimi afatgjatë e të qëndrueshme në funksion të sfidave, me të cilat përballet vendi.
  • Kuvendi mund e duhet ta forcojë rolin e vet kontrollues mbi pushtetin ekzekutiv, mund e duhet të krijojë mekanizma që mundësojnë respektimin e afateve ligjore për zgjedhjet e organeve dhe zyrtarëve drejtues që burojnë prej tij, si dhe të reformojë mekanizmin e raportimeve vjetore të institucioneve, për të aplikuar standarde reale transparente dhe llogaridhënëse.
  • Kuvendi duhet të forcojë mekanizmat e veta të monitorimit dhe të parandalimit të konfliktit të interesit, si dhe të jetësojë të gjitha parimet e Kodit të Sjelljes, duke ndjekur standarde të njëjta penalizimi për rastet abuzuese si dhe duke shkurajuar retorikat fyese e denigruese në të gjitha instancat e tij të debatit.
  • Kuvendi duhet të investohet më shumë për të jetësuar standardet e parlamentit të hapur dhe transparent, me të dhëna të sakta, të shpejta dhe të plota të akteve në shqyrtim, konsultim dhe të vendimmarrjes, me publikimet e detajuara të vendimmarrjeve dhe me aplikimin e seancave të hapura dëgjimore me shoqërinë civile dhe grupet e interesit.
  • Kuvendi mund e duhet të nxisë jetësimin në kohë dhe me cilësi të të gjitha përgjegjësive që burojnë nga aktet e brendshme rregullatore lidhur me raportimet vjetore të komisioneve dhe strukturave të brendshme, raportimeve financiare, raportimeve nga të tretët për parlamentin, si dhe me një strategji zhvillimi afatgjatë për të gjithnjë aktivitetin parlamentar.
  • Kuvendi mund e duhet të nxisë grupet parlamentare dhe deputetët të marrin pjesë në trajnime, të reflektojnë nga praktikat tona dhe të vendeve të tjera, si dhe të dëshmojnë më shumë interes e njohuri profesionale lidhur me aktet në shqyrtim dhe përgjegjësitë parlamentare, si dhe të investohen në tërësi në publik për një imazh më të mirë të parlamentit dhe të jetës parlamentare në Shqipëri.

 

 

Raportin e plotë mund ta lexoni & shkarkoni këtu:

ISP – KUVENDI DHE DEPUTETËT – RAPORT 2023

Një përmbledhje anglisht (english) mund ta lexoni & shkarkoni këtu:

ISP – BRIEFING NOTE – MONITORING OF THE PARLIAMENT 2022