STUDIME DHE RAPORTE

MONITORIMI I KUVENDIT JANAR – KORRIK 2017

Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e fondacionit gjerman
Friedrich-Ebert- Stiftung (FES) realizoi në periudhën janar – qershor 2017
monitorimin e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. ISP ka kryer edhe gjatë
vitit 2016 monitorimin e aktivitetit të deputetëve (angazhimet në seancat
plenare dhe në komisionet parlamentare), por projekti i mbështetur nga FES
është më i plotë, përfshin institucionin, aktivitetet dhe bilancin parlamentar.

MONITORIMI I KUVENDIT SHTATOR – DHJETOR 2016

Në sistemin tonë politik institucioni i parlamentit (Kuvendi i Shqipërisë) ka rol themelor në përfaqësimin
e vullnetit qytetar, në vendimmarrje dhe në procesin legjislativ. Parlamenti aktual është zgjedhur në
qershor 2013 dhe mandati i tij përfundon me zgjedhjet periodike në qershor 2017. Ky parlament
përfaqëson një prej katër rasteve të rotacionit politik (1992, 1997, 2005 dhe 2013), është ndër të vetmit
me legjitimitet të plotë (pa bojkotim politik pas-zgjedhor) dhe mbyll çerek shekullin e parë të tranzicionit.
Për shkak të rotacionit politik, votimit masiv kundër mazhorancës arrogante politike të para vitit 2013, si
dhe nevojave të mëdha të vendit për reforma e ndryshime, parlamenti i vitit 2013-2017 kishte pritshmëri
të larta politike, qytetare dhe institucionale.

MONITORIMI I KUVENDIT JANAR – KORRIK 2016

Në hierarkinë e sistemit politik në Shqipëri institucioni i parlamentit zë vend thelbësor. Ai është organi
kryesor ligjvënës, përfaqësues dhe politik-bërës. Pavarësisht nga ky rol, prej më shumë se dy vitesh
institucioni I parlamentit dhe aktiviteti I 140 deputetëve nuk ka qenë dhe nuk është objekt monitorimi
i asnjë organizate jo qeveritare dhe e shoqërisë civile. Nisur nga kjo mungesë e rëndësishme, nga
rëndësia që ka parlamenti në jetën politike në vend, si dhe nga nevoja për plotësimin e kuadrit
monitorues parti politike – media – zgjedhje – parlament, Instituti i Studimeve Politike
(www.isp.com.al) dhe database (www.politike.al) monitoroi dhe analizoi aktivitetin konkret
parlamentar në periudhën janar – korrik 2016.