PARLAMENTI IM

Funksioni, historia, legjislacioni, legjislatura, struktura drejtuese

Jeta parlamentare në Shqipëri daton më 1920. Pas vetëm katër vitesh sistem konkurrues partiak Shqipëria kaloi në sistem politik pa parti politike, më pas në Luftën e Dytë Botërore, më pas për 46 vjet, me sistem njëpartiak. Pluralizmi politik u lejua më 1990 dhe prej vitit 1991 parlamenti funksionon pa ndërprerje në formësim të funksionit si institucioni kryesor në sistemin politik e qeverisës.

Përgjatë më shumë se dy dekadave institucioni i parlamentit ka tentuar të krijojë profilin e tij kushtetues, si dhe të luajë rol aktiv në jetën politike. Me arritje dhe dështime ai ka krijuar tashmë një traditë të brishtë dhe është pranuar si institucioni kryesor politik përfaqësues dhe vendimmarrës.

KUVENDI

Historiku

Kuvendi Kombëtar i Vlorës (1912)

Institucioni i parlamentarizmit në Shqipëri i ka fillimet e tij prej ditës së pavarësisë, me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës. Si organi i parë përfaqësues i popullit, ai mori përsipër realizimin e detyrës së rëndësishme të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Ai zgjodhi Qeverinë e Përkohshme, të kryesuar nga Ismail Qemali.

Shteti shqiptar nën Princ Vidin dhe Statuti Organik i Shqipërisë (1914)

Pas Kuvendit Kombëtar të Vlorës, parlamentarizmi si institucion u sanksionua në të gjitha statutet që pasuan konsolidimin e shtetit shqiptar. Për herë të parë ai parashikohet në Statutin Organik të Shqipërisë, të hartuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, më 1914, megjithëse, fillimi i Luftës së Parë Botërore e bëri të pamundur krijimin e një organi të tillë. Sipas statutit, Asambleja Kombëtare, si organ legjislativ, përbëhej nga anëtarë të zgjedhur prej popullit, anëtarë të emëruar nga princi dhe anëtarë “ex officio” (gjithsej 36 anëtarë).
Pas shpalljes së pavarësisë vite të tjera të vështira do të vinin për Shqipërinë. Megjithëse Traktati i Londrës kishte përcaktuar kufijtë e Shqipërisë, dëshirat ekspansioniste të shteteve që donin të përfitonin më shumë territore ishin ende aktive duke ëndërruar përsëri ndarjen e saj. Në këto rrethana më 27 mars 1920 u mblodh Kongresi i Lushnjes.

Këshilli Kombëtar i Lushnjës (Senati)
(27 mars 1920 – 20 dhjetor 1920)

Kongresi i Lushnjes krijoi Senatin, Parlamentin e parë shqiptar (më vonë Këshilli Kombëtar), si organ legjislativ, i cili përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga vetë delegatët e Kongresit. Kongresi shprehu në formë të organizuar politike vullnetin e shqiptarëvge për të marrë fatin e vendit në duart e veta. Në këtë periudhë afirmohen për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i Qeverisë nga Senati, si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Megjithëse parlamenti i parë shqiptar e shtriu veprimtarinë e tij legjislative në një periudhë të shkurtër kohe, ai arriti të miratonte disa ligje të rëndësishme. Akti më i rëndësishëm ishte Statuti i Lushnjes që përbënte një ligj kushtetues.
Veprimtaria legjislative e Këshillit Kombëtar mori fund në dhjetor të vitit 1920, kur Këshilli u shpërnda për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të para në Shqipëri (mars 1921).

Këshilli Kombëtar (21 prill 1921 – 30 shtator 1923)
Statuti i Zgjeruar i Lushnjës

Nga zgjedhjet që u zhvilluan në mars të vitit 1921, vendi u përfaqësua me 78 deputetë. Që prej kësaj periudhe, parlamenti filloi të shfaqej rregullisht si një organ i dalë nga populli, me detyra të përcaktuara qartë në statutin e kohës. Zgjerimi që iu bë Statutit të Lushnjës, i cili në histori njihet si statuti i shtetit shqiptar i vitit 1922, e shndërroi këtë akt në një kushtetutë të mirëfilltë me fuqinë më të lartë në shtet dhe sanksionoi plotfuqinë parlamentare. Organi më i rëndësishëm që ushtronte pushtetin legjislativ, i quajtur “Këshill Kombëtar” mori emrin “Parlament”. Si organ i vetëm legjislativ ai përbëhej nga një dhomë deputetësh të cilët zgjidheshin nga populli në bazë të zgjedhjeve të përgjithshme (votim i tërthortë). Në këtë të periudhë dalloheshin qartë dy grupime politike: Partia Popullore e kryesuar nga Fan Noli dhe Partia Përparimtare e kryesuar nga Hoxhë Kadriu. Në fushën legjislative, veprimtaria e Këshillit Kombëtar u përqëndrua në nxjerrjen e ligjit për organizimin gjyqësor, në plotësimin e rregullores ekzistuese me elemente të reja për transparencën e veprimtarisë parlamentare, betimin e deputetëve përpara Këshillit, etj. Në shtator të vitit 1923, Këshilli Kombëtar i mbylli punimet e tij në përfundim të legjislaturës 2 vjeçare për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të reja për Kuvendin Kushtetues, të cilat u mbajtën në dhjetor të po këtij viti.

Kuvendi Kushtetues
21 janar 1924 – 2 mars 1925

Kuvendi Kushtetues, i përbërë nga 100 deputetë, ushtroi veprimtarinë e tij në dy periudha (21 janar – 2 qershor 1924 dhe dhjetor 1924 – 2 mars 1925). Detyra kryesore e tij ishte hartimi dhe miratimi i një kushtetute të shkruar (prej së cilës mori dhe emrin) ku të sanksionohej forma e qeverisjes. Objektivi nuk u arrit në periudhën e parë të veprimtarisë së tij për shkak të acarimit të situatës politike në vend me vrasjen e Avni Rustemit dhe atentatit që iu bë kryeministrit të asaj kohe Ahmet Zogu. Më 2 qershor të vitit 1924 Kuvendi mbylli punimet e periudhës së parë. Pas shpërbërjes së Qeverisë, Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria, duke mbetur në ilegalitet deri në dhjetor të vitit 1924. Gjatë kësaj periudhe erdhi në pushtet Qeveria e Fan Nolit, e cila pati një jetë të shkurtër (qershor-dhjetor 1924). Me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet, moment që shënoi në histori të ashtëquajturin “triumf të legalitetit”, rifilloi punimet Kuvendi Kushtetues. Ai arriti të përmbushte detyrën për të cilën ishte krijuar: miratimin e Statutit Themeltar të Shtetit dhe përcaktimin e formës së tij.

Periudha e Republikës Shqiptare
1925 – 1928

Statuti afirmonte formën e qeverisjes duke e përcaktuar Shqipërinë si Republikë Parlamentare “e kryesueme prej një kryetari sovraniteti i së cilës buronte prej popullit”. Me një vendim të posaçëm të Kuvendit Kushtetues, Ahmet Zogu u zgjodh në krye të shtetit. Parlamenti, për herë të parë dhe të fundit në historinë parlamentare të Shqipërisë, paraqitet i përbërë nga dy dhoma: Senati dhe Dhoma e Deputetëve. Sistemi dydhomësh pati një jetë të shkurtër parlamentare dhe përbënte eksperiencën e vetme në historinë parlamentare të Shqipërisë. Dhoma e Deputetëve (Dhoma e Ulët) përbëhej nga 57 deputetë të zgjedhur nga populli ndërkohë që Senati (Dhoma e Lartë) përbëhej nga 18 senatorë, 2/3 e të cilëve zgjidheshin nga populli, ndërsa 1/3 nga Kryetari i Republikës. Statuti afirmonte një sistem dydhomësh perfekt, por që në raste të caktuara i jepte përparësi Senatit, duke e vënë Dhomën në pozita inferioriteti. Një organ tjetër i Parlamentit ishte ai i mbledhjes së dy dhomave në një seancë të përbashkët, të quajtur Asamble Legjislative, që paraqitej në statut si organ më vehte. Gjatë kësaj kohe parlamenti miratoi një sërë ligjesh me rëndësi ndër të cilat mund të përmenden: ligjin mbi bankën kombëtare, ligjin e pensioneve civile, etj. Ai u karakterizua nga mungesa e pluralizmit dhe për shkak të problemeve të mëdha të sistemit zgjedhor, ruajti një karakter përfaqësues fiktiv. Mungesa e partive politike karakterizoi të gjithë periudhën e sundimit të Ahmet Zogut si Kryetar Republike e më pas si Mbret i Shqiptarëve.
Shpërndarja e Parlamentit të Republikës erdhi pas debateve për ndryshimin e formës së qeverisjes, duke i lënë vendin zgjedhjeve të reja për Asamblenë Kushtetuese.

Periudha e Mbretërisë Shqiptare
1928 – 1939

Asambleja Kushtetuese, e dalë nga zgjedhjet e 17 gushtit 1928 me 58 deputetë, sanksionoi në statut formën “monarkike” të qeverisjes, dhe parashikoi sistemin njëdhomësh parlamentar. Shqipëria shpallej “mbretëri demokratike, parlamentare, dhe e trashëgueshme”, ndërkohë që Mbret i shqiptarëve sanksionohej “LartMadhëria e tij Zogu I, nga familja e famshme shqiptare Zogu”. Ajo i dha fund punimeve më 1 dhjetor 1928, duke u transformuar në parlament. Në këtë periudhë u miratuan akte të rëndësishme si kodi civil, kodi tregtar, kodi penal, apo kodi i procedurës civile të cilët shënuan shkëputjen drastike nga legjislacioni i periudhës osmane. Për këtë arsye, parlamenti i kësaj kohe u quajt nga Zogu I si “parlament konstruktiv” e “parlament reformator”.
Pas pushtimit Italian të Shqipërisë në prill të vitit 1937, Mbreti Ahmet Zogu I u largua nga Shqipëria. Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III, iu ofrua kurora e Shqipërisë.

Parlamenti në periudhën e luftës

Sipas statutit themeltar të mbretërisë shqiptare të akorduar nga mbreti, Viktor Emanueli III, shteti shqiptar ishte monarki kushtetuese. Pushteti legjislativ ushtrohej nga mbreti në bashkëpunim me Këshillin e Epërm Fashist Koorporativ. Më vonë, më 16 tetor 1943 me ardhjen e pushtuesve nazistë u mblodh Kuvendi Kombëtar me 247 anëtarë, i cili rivendosi krijimin e Këshillit të Lartë si kryetar shteti. Ai u kthye në parlament, duke ushtruar pushtetin legjislativ së bashku me këtë organ. Kjo periudhë karakterizohet nga mohimi i parimeve të parlamentarizmit.

Parlamenti në periudhën e pasluftës

Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese të pasluftës u zhvilluan më 2 dhjetor 1945. Për herë të parë në votim morën pjesë edhe gratë. Në këtë periudhë u miratua kushtetuta e 14 marsit 1946, ku Asambleja Kushtetuese u kthye në Kuvend Popullor. Në kushtet e mungesës së pluralizimit politik në vend, Kuvendi Popullor ishte një organ formal i cili mblidhej në sesione vetëm dy herë në vit. Në vitin 1976 Kuvendi Popullor miratoi Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e cila ruajti më tepër tiparet e një programi politik plotësisht të ideologjizuar me ideologjinë e kohës. Roli i parlamentit mbetej fiktiv, sa kohë që nuk sanksionoheshin zgjedhje të lira dhe as që mund të flitej për pluralizëm.

Rilindja e parlamentarizmit (1991)

Pas 5 dekadash në Shqipëri shfaqen shenjat e para të rilindjes së parlamentarizmit. Pas një periudhe 67 vjeçare mblidhet parlamenti i parë pluralist i dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991 (250 deputetë). Ligji “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, i miratuar në këtë vit solli ndryshime në kuadrin e organizimit demokratik të shtetit. Ai u plotësua gradualisht nga një sërë ligjesh të tjera kushtetuese, deri në miratimin e një kushtetute të re tërësore. Më 21 tetor 1998 Kuvendi Popullor miratoi Kushtetutën e re, të hartuar edhe me ndihmën e organizmave ndërkombëtarë. Kushtetuta e re krijoi mundësinë për të kuptuar më mirë sistemin politik në Shqipëri dhe rolin e aktorëve të tij. Emërtimi Kuvend Popullor ndryshohet në Kuvend i Shqipërisë (njëdhomësh, 140 deputetë). Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, Kuvendi, si organi më i lartë i Pushtetit ligjvënës, vazhdoi procesin e hartimit dhe miratimit të ligjeve. Gjatë këtyre viteve roli i Kuvendit është rritur ndjeshëm në krijimin e një kuadri kushtetues e ligjor, si premisë për vendosjen e shtetit juridik. Ai është kthyer në institucionin më të rëndësishëm të zhvillimit të jetës politike në vend. Veprimtaria legjislative është bërë një nga instrumentët më aktivë në konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe të integrimit euroatlantik.

Drejtues ne vite

1. XHEMAL NAIPI (Kryetar i Këshillit Kombëtar, 1920)
2. DHIMITËR KACIMBRA (Kryetar i Këshillit Kombëtar, 1920)
3. PANDELI EVANGJELI
(Kryetar i Këshillit Kombëtar, 1921)
(Kryetar i Senatit, 1925-1926)(Kryetar i Asamblesë Kushtetuese, 1928)
(Kryetar i Parlamentit, 1928-1930, 1937-1939)
4. ESHREF FRASHËRI
(Kryetar i Këshillit Kombëtar, 1922-1923)
(Kryetar i Kuvendit Kushtetues, 1924)
(Kryetar i Senatit, 1924-1925)
5. PETRO GOGA (Kryetar i Kuvendit Kushtetues, 1924)
6. KOSTAQ KOTA
(Kryetar i Dhomës së Deputetëve, 1925-1928)
(Kryetar i Parlamentit, 1930-1937)
7. LEF NOSI
(Kryetar i Kuvendit Kombëtar, 1943-1944)
8. TERENC TOCI
(Kryetar i Këshillit të Epërm Fashist Koorporativ, 1940-1943)
9. MIHAL ZALLARI
(Kryetar i Kuvendit Kombëtar, 1944)
10. OMER NISHANI
(Kryetar i Këshillit Antifashist NacionalÇlirimtar, 1944)
11. TUK JAKOVA
(Kryetar i Kryesisë së Asamblesë Kushtetuese, 1946)
12. Dr. YMER DISHNICA
(Kryetar i Kryesisë së Asamblesë Kushtetuese, 1946-47)
13. MANUSH MYFTIU
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1947-1949)
14. GOGO NUSHI
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1950, 1954-1956)
15. THEODOR HEBA
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1950-1951)
16. MIHAL PRIFTI
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1951-1954)
17. RITA MARKO
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1956-1958)
18. Dr. MEDAR SHTYLLA
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1958-1964)
19. LEFTER GOGA
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1964-1966)
20. ABDYL KËLLEZI
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1966-1969)
21. BEHAR SHTYLLA
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1969-1970)
22. FADIL PAÇRAMI
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1970-1973)
23. ILIAZ REKA
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1973-1976)
24. ALI MANAJ
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1976-1978)
25. SIMON STEFANI
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1978-1982)
26. PALI MISKA
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1982-1987)
27. PETRO DODE
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1987-1990)
28. KASTRIOT ISLAMI
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1991-1992)
29. PJETËR ARBNORI
(Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, 1992-1996; 1996-1997)
30. SKËNDER GJINUSHI
(Kryetar i Kuvendit të RSH, 1997-2001)
31. NAMIK DOKLE
(Kryetar i Kuvendit të RSH, 2001-2002)
32.  SERVET PËLLUMBI  (Kryetar i Kuvendit të RSH, 2002-2005)
33. JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA) (Kryetar i Kuvendit të RSH, 2005-2009; 2009-2013)
34. ILIR META (Aktualisht Kryetar i Kuvendit të RSH)

Legjislaturat

27.03.1920–20.12.1920 Këshilli Kombëtar i Lushnjës (Senati)
21.04.1921–30.09.1923 Këshilli Kombëtar (Parlamenti)
21.01.1924–02.06.1924 Kuvendi Kushtetues (Periudha I)
12.01.1925–02.03.1925 Kuvendi Kushtetues (Periudha II)
01.06.1925–07.06.1928 Legjislatura I: Dhoma e Deputetëve, Senati
25.08.1928–01.12.1928 Asambleja Kushtetuese
10.12.1928–11.05.1932 Legjislatura I
21.11.1932–16.11.1936 Legjislatura II
10.02.1937–12.04.1939 Legjislatura III
12.04.1939–01.04.1940 Asambleja Kushtetuese
16.04.1940–31.07.1943 Këshilli Epërm Korporativ Fashist
16.10.1943–10.11.1943 Asambleja Kombëtare
11.11.1943–14.09.1944 Kuvendi Kombëtar
26.05.1944–16.12.1945 Këshilli Antifashist Nacionalçlirimitar
16.01.1946–16.03.1946 Asambleja Kushtetuese (Kuvendi Popullor)
 Kuvendi Popullor
25.03.1946–21.01.1950 Legjislatura I
28.06.1950–14.04.1954 Legjislatura II
19.07.1954–21.02.1958 Legjislatura III
21.06.1958–03.06.1962 Legjislatura IV
14.07.1962–12.03.1966 Legjislatura V
19.09.1966–04.05.1970 Legjislatura VI
20.11.1970–19.06.1974 Legjislatura VII
28.10.1974–21.02.1978 Legjislatura VIII
25.12.1978–14.07.1982 Legjislatura IX
22.11.1982–10.01.1987 Legjislatura X
19.02.198–13.11.1990 Legjislatura XI
15.04.1991–04.02.1992 Legjislatura I
04.04.1992–29.03.1996 Legjislatura II
 Kuvendi
01.07.1996–15.05.1997 Legjislatura III
23.07.1997–17.05.2001 Legjislatura IV
03.09.2001–20.05.2005 Legjislatura V
02.09.2005–15.05.2009 Legjislatura VI
07.09.2009–02.05.2013 Legjislatura VII
09.09.2013– Legjislatura VIII

Zgjedhjet parlamentare

Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore. Zonat përputhen me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial, qarkut, sipas ligjit nr. 10.019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”. Zona zgjedhore shërben si njësi zgjedhore për zgjedhjen e një numri të caktuar mandatesh, sipas rregullave të përcaktuara në ligjin e mësipërm. Kufijtë administrativë të qarqeve vendosen me ligjin për ndarjen administrative e territoriale të Republikës së Shqipërisë.

Ndertesa

Ndërtesa e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë

Vepër e projektuar nga arkitekti Anton Lufi që në vitin 1953. Planimetria ka formën e shkronjës “π”, me gjatësi 80 m e me dy krahë me gjatësi 53 m. Arkitektura e jashtme ka përmasa të harmonizuara mjaft mirë, me paraqitje të qetë, por monumentale, e zbukuruar me pilastra, kapitele dhe korniza të arkitekturës klasike. Hyrja kryesore është trajtuar me harqe, përpjekje kjo për të përdorur elemente të arkitekturës popullore.

Kjo ndërtesë katërkatëshe është me shumë zyra, salla të ndryshme, bibliotekë dhe me mjedise të nevojshme dhe të plotësuara me pjesët inxhinierike. Salla e mbledhjeve, e dekoruar me elemente klasike, ndodhet në katin e katërt të krahut jugor.

Pas mbylljes së veprimtarisë së PPSH-së në vitin 1991 në këtë ndërtesë u vendosën pjesërisht administrata e Kuvendit të Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe për një periudhë kohe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (sot Ministria e Kulturës).

Sot pjesën më të madhe të ambienteve e ka në përdorim Kuvendi i Shqipërisë, por ndodhen ende Gjykata Kushtetuese dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Ndërtesa e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë

Ndërtesa është një projekt i vitit 1955 me autor arkitektin S. Luarasi në bashkëpunim me arkitektin rus D. Vasilef. Projekti u hartua në bazë të projektit të godinës ekzistuese (Lidhja Kulturore), në mënyrë që dhomat e kësaj godine të shërbenin si lidhje me godinën e re, pra si zyra të administratës së Kuvendit Popullor. Salloni i kinemasë ekzistuese u shndërrua në sallë për seancat plenare me kapacitet 160 vende, ndërsa tek tribuna e presidiumit me 40 vende. Për diplomatët u parashikuan lozhat me 44 vende nga njëra anë e sallës, ndërsa nga ana tjetër 44 vende u caktuan për gazetarë, korrespodentë etj. Ballkoni përballë përmban 246 vende për audiencën. Për presidiumin u parashikua hyrja kryesore e godinës ekzistuese( Lidhjes Kulturore). Gardërobë, bufe dhe dhomë për rojat e presidiumit u parashikuan të vendosen në sallën e kinemasë ekzistuese.

Kjo godinë e re e Kuvendit u projektua në mënyrë të tillë që të mund të përdoren të gjitha mobiliet ekzistuese të Kuvendit të vjetër (e presidiumit, e deputetëve dhe karriget e ballkonit).

Sipërfaqja e ndërtesës është 710 m².

Vëllimi i ndërtesës është 6500 m ³.

STRUKTURA

Kryetari

Gramoz Ruçi është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendin, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij. Ai kujdeset për zhvillimin e veprimtarisë parlamentare, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, si dhe për sigurimin e kushteve të nevojshme Kuvendit dhe strukturave të tij.

Zëvendëskryetarët

Deputetët Vasilika Hysi (PS) dhe Edi Paloka (PD) janë dy zëvendëskryetarëve e Kuvendit. Zëvendëskryetarët bashkëpunojnë me Kryetarin e Kuvendit për realizimin e detyrave të Kryetarit; ata thirren për këshillim nga Kryetari sa herë shihet e nevojshme. Në rast se Kryetari mungon ose është në pamundësi të kryejë detyrat e tij, ai autorizon një nga zëvendëkryetarët për kryerjen e tyre.

Byroja e Kuvendit

Byroja e Kuvendit ndjek dhe vendos për çështjet administrative, si dhe funksionimin e brendshëm të Kuvendit dhe të organeve të tij. Byroja e Kuvendit përbëhet nga Kryetari i Kuvendit, zëvendëskryetarët, 2 sekretarë për buxhetin e 4 sekretarë dhe drejtohet nga Kryetari i Kuvendit. Përbërja e Byrosë së Kuvendit pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Përbërja është si vijon: Gramoz Ruçi – Kryetar Kuvendi (PS), Vasilika Hysi – Zëvendëskryetare Kuvendi (PS), Edi Paloka – Zëvendëskryetar Kuvendi (PD), Anastas Angjeli – Sekretar për Buxhetin (PS), Florion Mima – Sekretar për Buxhetin (PD), Alket Hyseni – Sekretar për Procedurat dhe Votimet (PS), Viktor Tushaj – Sekretar për Statusin e Deputetit (LSI), Besnik Baraj – Sekretar për Kërkimin Shkencor, Bibliotekën e Botimet Parlamentare (PS), Ervin Bushati – Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë (PS).

Sekretariatet e Kuvendit

  • Sekretariati për Buxhetin

    Sekretariati për Buxhetin përbëhet nga 5 deputetë. Përbërja miratohet nga Kuvendi me votim të hapur me propozim të Kryetarit të Kuvendit, pas këshillimeve me kryetarët e grupeve parlamentare. Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit drejtohet nga dy sekretarët për buxhetin, të cilët përfaqësojnë grupet politike të shumicës dhe të opozitës parlamentare. Përbërja është si vijon: Anastas Angjeli – Sekretar për Buxhetin (PS), Florion Mima – Sekretar për Buxhetin (PD), Evis Kushi – anëtare (PS), Blerina Gjylameti – anëtare (PS), Gledion Rehovica – anëtar (LSI),

  • Sekretariati për Procedurat dhe Votimet

    Sekretariati për Procedurat dhe Votimet  përbëhet nga 3 deputetë. Përbërja miratohet nga Kuvendi me votim të hapur me propozim të Kryetarit të Kuvendit, pas këshillimeve me kryetarët e grupeve parlamentare. Përbërja është si vijon: Alket Hyseni – Sekretar për Procedurat dhe Votimet (PS), Adnor Shameti – anëtar (PS), Enkelejd Alibeaj – anëtar (PD).

  • Sekretariati për Statusin e Deputetit

    Sekretariati për Statusin e Deputetit përbëhet nga 3 deputetë. Përbërja miratohet nga Kuvendi me votim të hapur me propozim të Kryetarit të Kuvendit, pas këshillimeve me kryetarët e grupeve parlamentare.
    Përbërja është si vijon: Viktor Tushaj – Sekretar për Statusin e Deputetit (LSI), Xhemal Qefalia – anëtar (PS), Ilirian Pendavinji – anëtar (PS).

  • Sekretariati për Kërkimin Shkencor, Bibliotekën dhe Botimet

    Sekretariati për Kërkimin Shkencor, Bibliotekën dhe Botimet përbëhet nga 3 deputetë. Përbërja miratohet nga Kuvendi me votim të hapur me propozim të Kryetarit të Kuvendit, pas këshillimeve me kryetarët e grupeve parlamentare. Përbërja është si vijon: Besnik Baraj – Sekretar për Kërkimin Shkencor, Bibliotekën e Botimet Parlamentare (PS), Musa Ulqini – anëtar (PS), Romeo Gurakuqi – anëtar (PD).

  • Sekretariati për Marrëdhëniet me Jashtë

    Sekretariati për Marrëdhëniet me Jashtë përbëhet nga 3 deputetë. Përbërja miratohet nga Kuvendi me votim të hapur me propozim të Kryetarit të Kuvendit, pas këshillimeve me kryetarët e grupeve parlamentare. Përbërja është si vijon: Ervin Bushati – Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë (PS), Elona Hoxha – anëtare (PS), Aldo Bumçi – anëtar (PD).

Konferenca e Kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve diskuton dhe vendos për programin e punës, kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe të komisioneve të tij, si dhe për çështje të zhvillimit të punimeve të Kuvendit në seancë plenare. Konferenca e Kryetarëve përbëhet nga Kryetari i Kuvendit, zëvendëskryetarët e Kuvendit, kryetarët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare dhe drejtohet nga Kryetari i Kuvendit. Konferenca thirret nga Kryetari i Kuvendit ose me kërkesën e Këshillit të Ministrave apo të një kryetari grupi parlamentar.

Përbërja është si vijon: Gramoz Ruçi – Kryetar Kuvendi (PS), Vasilika Hysi – Zëvendëskryetare Kuvendi (PS), Edi Paloka – Zëvendëskryetar Kuvendi (PD), Senida Mesi – anëtar i Këshillit të Ministrave për marrëdhëniet me Kuvendin (PS), Taulant Balla – kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Edmond Spaho – kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Petrit Vasili – kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Fatmir Mediu – kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Ulsi Manja – kryetar i komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (PS), Mimi Kodheli – kryetare e komisionit për Politikën e Jashtme (PS), Genc Pollo – kryetar i komisionit për Integrimin Europian (PD), Erion Braçe – kryetar i komisionit për Ekonominë dhe Financat (PS), Eduard Shalsi – kryetar i komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin (PS), Albana Vokshi – kryetare e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik (PD), Petrit Vasili – kryetar i komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë (LSI), Ermonela Felaj – kryetare e komisionit për Sigurinë Kombëtare (PS).

Komisionet

Nënkomisionet

  • Nënkomisioni për Qeverisjen Vendore

    Kuvendi me vendimin nr. 99/2017 ka ngritur nënkomisionin “Për Qeverisjen Vendore” në përbërje të komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Objekti dhe fusha e përgjegjësisë së këtij nënkomisioni është organizimi dhe funksionimi i pushtetit vendor. Përbërja është si vijon: Bashkim Fino – kryetar (PS), Oerd Bylykbashi – zëvendëskryetar (PD), Edmond Leka – anëtar (PS), Saimir Tahiri – anëtar (PS), Klotilda Bushka (Ferhati) – anëtare (PS), Nasip Naço – anëtar (LSI), Dhurata Çupi – anëtare – (PD).

  • 1- Nënkomisioni për Diasporën dhe Migracionin

    Nënkomisioni për Diasporën dhe MigracioninKuvendi me vendimin nr. 98/2017 ka ngritur nënkomisionin “Për Diasporën dhe Migracionin” në përbërje të komisionit për Politikën e Jashtme. Objekti dhe fusha e përgjegjësisë së këtij nënkomisioni janë çështje të diasporës dhe fenomenit migrator të Shqipërisë. Përbërja është si vijon: Adnor Shameti – kryetar (PS), Tritan Shehu – zëvendëskryetar (PD), Elona Hoxha – anëtare (PS), Eglantina Gjermeni – anëtare (PS), Klajda Gjosha – anëtare (LSI).

Këshillat

  • Këshilli për Legjislacionin
  • Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin

Grupet parlamentare

  • Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste

  • Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

  • Grupi Parlamentar i Partisë “Lëvizja Socialiste për Integrim”

  • Grupi Parlamentar i Partisë “Republikane”

  • Deputetë jashtë grupeve parlamentare