KONTROLLI PARLAMENTAR, BILANCI GRI I KUVENDIT

Kuvendi ka rol thelbësor në kontrollin parlamentar ndaj pushtetit ekzekutiv, institucioneve që raportojnë në Kuvend, procesit të mbikëqyrjes post legjislative dhe aktivitetit të vetë strukturave parlamentare. Gjatë sesionit nuk pati mocion besimi dhe as mosbesimi, pasojë e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, si dhe nuk pati seanca të posaçme pyetjesh adresuar kryeministrit. Në tërësi pati rritje të numrit të interpelancave, por jo të produktit të tyre. Tradita e interpelancave, sipas të cilave deputetët (sidomos opozita) kritikon ashpër një ministër dhe ky i fundit i përgjigjet me devijim nga tematika me akuza e gjuhë kritike ndaj iniciuesit vijoi edhe në këtë sesion parlamentar. Gjatë sesionit të fundit pati disa raste kur iniciuesit e interpelancave u ndjenë të fyer nga zyrtarët përgjegjës, përfshirë kryeministri ose ministri për parlamentin, si dhe nuk pati raste kur iniciuesit e tyre të shprehnin ndonjë konsideratë pozitive për aktivitetin e ministrisë, të cilës i adresohej ajo. Këto praktika janë dekurajuese për deputetët dhe më shumë shpërdoron, sesa forcon institucionin e interpelancës. Kuvendi krijoi perceptimin se më shumë vepron në funksion të agjendës së kryeministrit, sesa e kundërta, që qeveria të ndjehet përgjegjëse përpara parlamentit. Komisioni hetimor për inceneratorët mbetet një përjashtim pozitiv, falë edhe sjelljes konstruktive formale edhe të zyrtarëve përgjegjës të thirrur në seancën dëgjimore, përfshirë kryeministrin. Nismat dhe mekanizmat e tjerë kontrollues nuk funksionuan plotësisht ose nuk arritën të bëjnë diferencë pozitive, ndërkohë që qasja bipartizane e palëve dobëson forcën dhe efektivitetin e komisioneve parlamentare, komisioneve hetimore, strukturave llogaridhënëse dhe procesit kontrollues kushtetues. Në aneksin mbi institucionet që zgjidhen ose raportojnë në Kuvend janë trajtuar më në detaje problematikat e këtij sesioni parlamentar, por në tërësi institucionet e thirrura për raportim nuk u ndjenë nën presionin pozitiv parlamentar për llogaridhënie. Analiza e jetësimit të rezolutave të kaluara dhe propozimet për rezolutat e reja ishin më shumë shprehje e vullnetit politik, sesa akte të kontrollit kushtetues, transparencës dhe llogaridhënies. Disa prej çështjeve me interes të theksuar publik dhe që përbëjnë shqetësim qytetar gjatë viteve 2021 dhe 2022 nuk ishin pjesë e rezolutave, si dhe në tërësi raportimet në seancat plenare në Kuvend ishin formale.

Raportin e plotë e gjeni duke klikuar këtu.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) do të vijojë monitorimin e parlamentit përmes mbështetjes financiare nga Ambasada e Zvicrës në Tiranë. Për këtë qëllim është ndërtuar edhe database http://deputetim.al/.

 

Instituti i Studimeve Politike (ISP)