DISKUTIMET GJATË RAPORTIMEVE TË INSTITUCIONEVE NË KUVEND

DISKUTIMET GJATË RAPORTIMEVE TË INSTITUCIONEVE NË KUVEND

Lidhur me këtë pikë vlen të thuhet se gjatë raportimeve të institucioneve, herë pas here diskutimet shoqërohen edhe me pyetje nga anëtarët e Komisioneve apo me debate lidhur me tema të caktuara që trajtohen. Sa i përket institucioneve të cilët tashmë, jo vetëm kanë raportuar, por edhe për të cilët është miratuar një rezolutë, ka patur interes nga Kuvendi në vetëm disa raste lidhur me objektin e raportimit. Më konkretisht, gjatë raportimit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, një pyetje e ardhur nga anëtarët e komisionit kishte të bënte më mundësinë e fshirjes nga AKEP-i të të dhënave që në formë imazhesh ose përmbajtjesh linçojnë ose degradojnë dikë.

Ndërsa, gjatë raportimit të Autoritetit të Konkurrencës një pyetje e lindur kishte të bënte me faktin nëse janë marrë masa për të ndryshuar situatën e tenderimeve publike dhe prokurimeve publike nga ana e qeverisë.

Vihet re se raportimi ka qenë intensiv nga pikëpamja e pyetjeve të ardhura nga anëtarët e komisionit, gjatë kohës që ka raportuar Enti Rregullator i Energjisë. Më konkretisht, institucioni është pyetur lidhur me arsyet përse është lejuar që KESH-i dhe OSHEE-ja të blejnë energji jashtë tregut të formalizuar në bursë, apo për arsyet se përse është lejuar që KESH-i të prodhojë energji elektrike, veçanërisht në muajt korrik dhe gusht, duke çuar në rënien e nivelit të liqenit të Fierzës në kuota shumë më të ulëta se mesatarja historike. Gjithashtu, interes është shfaqur edhe për politikat e institucionit, etj. Pra, evidentohet një interes i shtuar lidhur me tema të caktuara nga anëtarët e komisioneve. Nga ana tjetër edhe INSTAT dhe Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit janë përballur me shumë pyetje gjatë raportimit, pyetje të cilat lidheshin me veprimtarinë e institucioneve, apo politikave të tjera të këtyre të fundit.

Vlen të thuhet se institucionet jo gjithmonë tregohen të gatshëm për tu përgjigjur aty për aty, pasi shpeshherë kërkojnë edhe kohë për të kthyer përgjigje me shkrim ndaj Kuvendit. Ndërkaq, në shumë raste evidentohet fakti se pyetjet jo gjithmonë janë relevante me natyrën e raportimit duke u ngatërruar edhe me kontekstin politik. Madje, gjatë raportimeve, shpeshherë evidentohet se debati nga dhe mes anëtarëve të komisioneve është përqendruar vetëm në tema politike, duke shpërqendruar vëmendjen nga çështjet që lidhen me raportimin.

Element tjetër i konstatuar në raportimet e institucioneve është mungesa e përfaqësuesve të shoqërisë civile gjatë zhvillimit të seancave. Nga vëzhgimet e kryera, si duke ndjekur seancat ashtu edhe referuar procesverbaleve të seancave, nuk arrihet të evidentohet prania e shoqërisë civile apo qoftë edhe të flitet për mungesën e përfaqësuesve të saj nga të pranishmit në seancë. Vlen të theksohet se një mungesë e tillë nuk është trajtuar nga të dyja palët, si nga përfaqësuesit e shumicës parlamentare, ashtu edhe nga të pakicës. Ndërkaq, vlen të përmendet gjithashtu se disa institucione, të tilla si Këshilli i Lartë Gjyqësor, kanë përfshirë në raportimet e tyre edhe përmbushjen e rekomandimeve të ardhura nga përfaqësues të shoqërisë civile apo organizatave jofitimprurëse në drejtim të përmirësimit të veprimtarisë së tyre.

Nga ana tjetër, Kuvendi, në Rezolutën e miratuar lidhur me Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, i ka kërkuar këtij të fundit të forcojë bashkëpunimin me shoqërinë civile, median dhe publikun e gjerë për informacionet e dhëna për rastet e denoncimit të shkeljes së ligjit për deklarimin e interesave private pasurore, për rastet e identifikimit të konfliktit të interesave, si dhe rastet e dyshuara të korrupsionit në sektorin publik dhe privat.

Raportin e plotë e gjeni duke klikuar këtu.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) po  monitoron parlamentin  përmes mbështetjes financiare nga Ambasada e Zvicrës në Tiranë. Për këtë qëllim është ndërtuar edhe database http://deputetim.al/.

Instituti i Studimeve Politike (ISP)