DORËZIMI I MANDATEVE
Sesioni parlamentar janar – korrik 2019 u dominua nga procesi i zëvendësimit të deputetëve të opozitës, pas vendimit kolektiv të tyre për dorëzim mandatesh. I gjithë procesi u shoqërua me protesta dhe kontestime, si dhe dobësoi ndjeshëm peshën dhe rolin e parlamentit. Dorëzimi i mandateve ishte veprim i skajshëm dhe joracional i opozitës, ndërkohë që mazhoranca përfitoi nga situata e krijuar. Dy palët nuk u investuan për asnjë moment në evitimin e krizës, secila palë u përpoq të fitojë maksimalisht prej saj.
Kuvendi arriti të ketë 122 deputetë nga 140 në total, pasi 40 deputetë të rinj morën mandate nga lista proporcionale e opozitës. Lista proporcionale e PD u konsumua dhe personat e tjerë nuk e pranuan mandatin. Për pasojë, qarqe si Lezha apo Kukësi kanë respektivisht vetëm 57% dhe 67% të deputetëve të zgjedhur më 2017, ndërsa nga 12 qarqe, vetëm Gjirokastra, Berati e Korça kanë të njëjtin numër deputetësh në parlamentin aktual si më 2017. Në këto rrethana, debati mbi legjitimitetin dhe kapacitetin për të funksionuar mori më shumë kohë e energji sesa debati mbi axhendën parlamentare.
PASOJAT E KUVENDIT NGA KRIZA POLITIKE
Gjatë ditëve, javëve dhe muajve të parë pas dorëzimit të mandatit nga opozita dhe zhvillimit të protestave kryesisht paralel me seancat parlamentare, parlamenti pati vështirësi serioze funksionimi normal në procedurat parlamentare, në standardet e transparencës dhe në rolin e vet vendimmarrës e të kontrollit mbi pushtetet e tjera. Parlamenti u ndesh me vështirësi shumëfishe kur protestat e opozitës dhe reagimet e autoriteteve ndaj tyre zhvendosën vëmendjen nga axhenda parlamentare dhe ndikuan në dobësimin e rolit të parlamentit si institucion kryesor vendimmarrës në sistemin qeverisës të Shqipërisë.